Site icon Telegrafi

Këshilltari i Kurtit: UÇK-ja ka pasur arkiv, duhet ta nxjerrim të vërtetën e luftës

Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, për çështjen e kategorive të dala nga lufta, Aziz Bici, është shprehur se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), ka pasur arkiva dhe se ato ende ekzistojnë.

Bici, në RTV Dukagjini ka thënë se secili komandant i zonave operative, kanë mbajtur arkiv.

Këshilltari i kryeministrit, ka thënë se listat aktuale të veteranëve janë të fryra dhe se për këtë gjë ai di edhe raste konkrete.

“Më së shumti që nuk mund të pajtohem me lista të fryra, ata nuk kanë prekur as punë me dorë dhe le më armë”, ka deklaruar ai.

Ai ka folur edhe për propozimin e kryeministrit Kurti, për një ligj të ri për verifikimin e veteranëve të luftës, i cili sipas tij, ka për synim ta gjejë të vërtetën për luftën.

Ai ka thënë se propozimi i kryeministrit nuk do të thotë se do të rriten kriteret për klasifikimin e veteranëve, por vetëm do të jetë më i saktë.

“Nuk do t’i rrisim kriteret, por do ta gjejmë të vërtetën. Ne jemi gjallë e dimë se si dhe çfarë ka ndodhur, do ta nxjerrim të vërtetën e luftës”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se njeh raste konkrete kur disa persona nuk kanë pranuar t’i kryejnë disa punë të kërkuara nga UÇK-ja, siç janë hapja e bunkerëve, apo vëzhgimit dhe kujdestarisë, dhe tash ata siç tregon ai, janë futur në listat e veteranëve.

Në fund, Bici ka thënë se beson që ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë janë të pafajshëm./RTV Dukagjini/

Exit mobile version