Besnik Tahiri, këshilltar i kryeministrit Haradinaj, ka reaguar pas deklaratave të presidentit turk, Erdogan, i cili tha se Haradinaj do të marrë përgjegjësi për veprimet e tij, pas arrestimeve të shtetasve turq.
Tahiri përmes një postimi në Facebook ka thënë se pozicioni i Erdoganit është tregues që kryeministri nuk e ka ditur dhe nuk është pjesë e filmit ‘Deportimi’.
“Dy çështje dua ti them: 1. Ramush Haradinaj nuk mund të shantazhohet e as kërcnohet, këtë e dinë të gjithë por nuk dëshirojnë ta pranojnë. 2. Ky pozicion i Erdoganit është tregues që kryeministri as nuk e ka ditur dhe as nuk është pjesë e Filmit ‘Deportimi’”, ka shkruar Tahiri.
Kryeministri Haradinaj nuk ka dashur t’i komentojë kërcënimet e presidentit të Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan.
Ndërkaq, presidenti turk në një fjalim të sotëm, e ka kërcënuar kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj se do të japë përgjegjësi për menaxhimin e situatës me turqit e deportuar.
Ai e ka kritikuar atë për shkarkimin e ministrit të Brendshëm dhe shefit të AKI-së, dhe i ka ftuar kosovarët të protestojnë kundër tij.
“Shërbimet tona sekrete kanë sjellë këtu gjashtë anëtarë të Gylenit. Por jam i mërzitur sepse mora vesh që janë shkarkuar minitri i Brendshëm dhe shefi i shërbimeve sekrete. Ej, kryeministri i Kosovës, që kur paske filluar të mbrosh ata që kanë bërë grusht shteti në Turqi? Nga kush i merr urdhrat ti? Jam i sigurt që populli i Kosovës, vëllezërit tanë aty, do të t’a japë përgjigjen e merituar”., tha Erdogan duke sulmuar njëkohësisht SHBA-të, të cilat sipas tij kontrollojnë Haradinajn. /Telegafi/
Postimi i plotë në Facebook:
Dy çështje dua ti them:
Ramush Haradinaj nuk mund të shantazhohet e as kërcënohet, këtë e dinë të gjithë por nuk dëshirojnë ta pranojnë.
Ky pozicion i Erdoganit është tregues që kryeministri as nuk e ka ditur dhe as nuk është pjesë e Filmit ‘Deportimi’.