Site icon Telegrafi

Këshilltari i Haradinajt: Kompanitë në Kosovë po ankohen se nuk ka njerëz të përgatitur për t’i mbushur vendet e lira të punës (Video)

Këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Eroll Belegu ka thënë se çështja e largimit të të rinjëve nga Kosova është duke u ekzagjeruar.

Belegu, në “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë se në tregun e Kosovës ka një mungesë të madhe të fuqisë punëtore të kualifikuar.

“Sot kuptova që një kompani gjermane që merret me shërbimet e “Call Center” ka hapur konkurs për punësimin e 500 të rinjve në Kosovë me paga shumë të larta dhe të punojnë për tregun gjerman, por nuk ka njerëz të përgatitur për këto vende pune”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Këshilltari i kryeministrit Haradinaj shtoi tutje se gjatë vizitave që u bëjnë kompanive nga Kosova, po sheh se ka vende të lira të punës.

“Nuk ka kompani kosovare që ne e vizitojmë që nuk kërkon punëtorë të profileve të caktuara”.

Belegu ka arsyetuar largimet e të rinjve nga Kosova, pasi sipas tij tregu është i hapur dhe çdokush mendon për jetë më të mirë.

“Është treg i hapur i punës. Gjermania ka relaksuar kushtet për marrjen e vizës, natyrisht që një numër i të rinjve shkojnë në mënyrë legale”.

Këshilltari i kryeministrit Haradinaj thotë së është duke u ekzagjeruar çështja e largimit të rinisë, pasi nuk ka të dhëna të sakta./Telegrafi/

Exit mobile version