Telegrafi

“Këshilltarët e Haradinajt më shanë…, dhe jo vetëm”: Kërkohet veprim i Prokurorisë për deklaratat e Agim Vatovcit

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i ka bërë ftesë publike Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksander Lumezit dhe ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të PSRK, Afrim Shefkiu, që të reagojnë lidhur me deklaratat e bëra nga Kryetari i Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuara, Agim Vatovci, në drejtim të këshilltarëve të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Siç ka thënë Miftaraj, ky rast duhet të sqarohet nga organet kompetente dhe inicimi dhe mbrojtja duhet të fillojnë nga Prokuroria, përcjell Telegrafi.

“Ftesë publike Kryeprokurorit të Shtetit, z. Aleksander Lumezi dhe u.d. së Kryeprokurorit të PSRK, z. Afrim Shefkiu, të ushtrojnë kompetencat dhe përgjegjësitë që iu jep ligji. Viktimat potenciale të krimit duhet të sigurohen dhe mbrohen nga shteti. Ky rast duhet të sqarohet nga organet kompetente. Inicimi dhe mbrojtja duhet të fillojë nga Prokuroria!”, ka shkruar Miftaraj në Facebook.

Ndryshe, Agim Vatovci, ka lëshuar akuza në drejtim të këshilltarëve të kryeministrit, tanimë në dorëheqje Ramush Haradinaj.

Ai ka thënë se njëri prej tyre e ka nxjerrë jashtë prej një mbledhjeje, “ia ka sharë nënën”, shkruan GazetaExpress.

Por siç ka thënë Vatovci, ky nuk ka qenë ofendimi i vetëm i tyre në drejtim të tij.

Ai ka përmendur emrat e Gazmend Abrashit dhe Jahir Morinës, që, sipas tij, nuk po e lënë të futet në zyrën e kryeministrit e as nëpër mbledhje.

Një deklaratë e Vatovcit vjen dy vjet pasi që ai kishte aderuar në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Lexo po ashtu Agim Vatovci aderon në AAK

Vatovcin në një takim e kishte pritur edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe i apostrofuari në deklaratë, nënkryetari i AAK-së, Gazmend Abrashi.

“Bashkë me liderin, Ramush Haradinaj, e mirëpritëm në familjen tonë të madhe aderimin e këtyre njerëzve të mrekullueshëm, të prirë nga Agim Vatovci, i Shoqatës së personave me nevoja të veçanta. U zotuam që do ta kanë përkrahjen e plotë institucionale”, kishte shkruar Abrashi në Facebook. /Telegrafi/