Site icon Telegrafi

Këshilli serb për Siguri Nacionale kërkon vazhdimin e dialogut me Kosovën

Këshilli për Siguri Nacionale i Serbisë të hënën kërkoi vazhdimin e dialogut me Prishtinën, si dhe respektimin e Rezolutës 1244 dhe marrëveshjet e Brukselit.

Në kumtesën e lëshuar pas mbledhjes, Këshilli si shqetësuese vlerësoi iniciativën për ndërprerjen e dialogut Beograd-Prishtinë, si dhe formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Këshilli ka obliguar organet e Serbisë që me të gjitha mjetet politike dhe diplomatike t’i kundërvihet destabilizimit të situatës në Kosovë, si dhe në formimin e ushtrisë së Kosovës, gjë e cila “do të rrezikonte mbijetesën e serbëve në Kosovë”.

Njëkohësisht, Këshilli ka ftuar serbët në Kosovë që krejtësisht në veçanti me organet e Republikës së Serbisë të mbrojnë interesat e popullit dhe shtetit serb.

Po ashtu, Këshilli ka vlerësuar se nuk ekziston mundësia e kërcënimit të dukshëm të paqes dhe sigurisë, megjithatë është thënë se situata në rajon është shumë e trazuar dhe komplekse.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit për siguri nacionale, të cilin e udhëhoqi presidenti i Serbisë, Tomislаv Nikoliq, morën pjesë edhe kryeministri Aleksаndаr Vuçiq, ministri i Mbrojtjes, Zorаn Gjorgjeviq, ministri i Punëve të Brendshme Nebojshа Stefаnoviq dhe ministrja për Drejtësi Nela Kuburoviq.

Po ashtu, të pranishëm ishin edhe shefi i Ushtrisë serbe, gjenerali Lubisha Dikoviq, drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq, si dhe drejtori i Agjencisë informative të sigurisë Aleksаndаr Gjorgjeviq, drejtori i Agjencisë për siguri ushtarake gjenerali Petаr Cvetkoviq, zëvendës drejtori i Agjencisë së informimit ushtarak Zorаn Stojkoviq dhe sekretari shtetëror i Ministrisë së Punëve të Jashtme Ivicа Tonçev./Telegrafi/

Exit mobile version