Këshilli i Qarkut Kukës ka vendosur që t’i heqë titullin qytetar publicistit të njohur të Kosovës, Veton Surroi.
Këshilli i Qarkut ka argumentuar një vendim të tillë me qëndrimet që Surroi ka mbajtur kohët e fundit për luftën e UÇK-së në Kosovë.
Këshilli i Qarkut të Kukësit përbëhet nga përfaqësues të Partisë Socialiste. Vendimi është marrë pas propozimit të bërë nga një dy intelektualë të njohur të Kukësit, një mjek dhe një gazetar.
Kreu i Qarkut Kukës, Avdullah Domi gjatë një deklarate pas vendimi tha se, vendimi ishte marrë pas disa debateve ndërsa në votim propozimi u miratua me shumicë votash.
“Ajo çfarë po bën Surroi shkon në kundërshtim me vlera universale dhe patriotike të zonës sonë dhe konkretisht Qarkut të Kukësit duke sulmuar luftën e drejtë të UÇK-së”, është shprehur z. Domi.
Për këtë vendim ka reaguar dhe kryeministri, Edi Rama, i cili pasi e cilëson “lajthitje kolektive” i kërkon Prefektit të Qarkut të mos e firmosë një vendim të tillë.
“Vendimi i Këshillit të Qarkut të Kukësit për heqjen e titullit “Qytetar Nderi” Veton Surroit është një lajthitje kolektive që uroj Prefekti do ta refuzojë! Ndërkohë parlamenti duhet të ndërhyjë për ta normuar njëherë e mirë çështjen e titujve e të medaljeve”, shprehet Rama.
“Ky vend s’mund të jetë një planet më vete brenda botës që e ka sistemuar me kohë e me vakt këtë punë, ku s’ka president që jep medalje për heronjtë e luftërave të shkuara se kështu i thotë koka dhe s’ka këshill që ia heq titullin dikujt me kërkesë të disave! Boll me këtë absurd”, ka shtuar kryeministri.
Veton Surroi u shpall “Qytetar Nderi” i Kukësit në vitin 2015 me propozim të klubit letrat “Anton Pashko” për kontribut të veçantë në fushën e medias dhe politike gjatë krizës së luftës dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Këshilli i Qarkut të Kukësit përbëhet nga 13 anëtarë, përkatësisht 5 nga bashkia e Kukësit, 4 të Hasit e 4 nga Tropoja. Të tre këto bashki drejtohen nga përfaqësues të PS-së të dalë nga zgjedhjet lokale të 30 qershorit, të cilat u bojkotuan nga opozita, raporton euronewsalbania.