Telegrafi

Këshilli Prokurorial i Kosovës refuzon të jetë pjesë e Grupit punues për Vetingun

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), përmes një komunikate kë bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në Grupin punues të caktuar nga Ministria e Drejtësisë për hartimin dhe finalizimin e legjislacionit për procesin e Vetingut në Sistemin e Drejtësisë.

Sipas njoftimit të KPK, ky qëndrim vjen si rrjedhojë e qasjes së Ministrisë së Drejtësisë, e cila ka proceduar në Qeveri draftin final për procesin e Vetingut pa u konsultuar fare me institucionet e pavarura të drejtësisë.

“Për më tepër, ky koncept-dokument i dorëzuar në Qeveri nuk iu është dhënë anëtarëve të grupit punues nga sistemi prokurorial të cilët janë të painformuar me përmbajtjen finale të këtij dokumenti”, thuhet në komunikatë, transmeton Telegrafi.

Prandaj, sipas KPK, kjo qasje e njëanshme dhe përjashtuese nga ana e Ministrisë së Drejtësisë për ne është jo-serioze dhe jo-profesionale.

“Në procese të tilla të rëndësishme është thelbësore të ketë gjithëpërfshirje aktive të të gjitha palëve, të ndërtohet besimi reciprok dhe të kultivohet një qasje konstruktive, pa paragjykime, e bazuar në objektivitet dhe bashkërendim”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se Këshilli Prokurorial i Kosovës si institucion kushtetues mbetet i përkushtuar për të bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet e vendit që nëpërmjet forcimit të kapaciteteve të brendshme institucionale, të punojë në avancimin e sistemit prokurorial, gjithmonë duke e ruajtur pavarësinë dhe ndarjen e pushteteve. /Telegrafi/