Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dënon ashpër sulmin fizik ndaj prokurorit të Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore në Prizren, Atnor Skoro, sulm i cili ndërlidhet me punën e tij zyrtare.
Sipas njoftimit për media për KPK-së, aktet e tilla ndaj prokurorëve, janë të pa tolerueshme dhe se të njëjtat merren shumë seriozisht.
“KPK qëndron fuqishëm pranë prokurorit Skoro dhe të gjithë prokurorëve, i mbështet ata në punën e tyre të përditshme dhe i inkurajojnë në përmbushjen e misionit të tyre. Andaj, të gjithë ata që mendojnë se me akte të tilla do të tentojnë të ndikojnë që prokurorët e shtetit të zmbrapsen nga ndjekja e kryeseve të veprave penale e kanë gabim, sepse prokurorët do të vazhdojnë punën e tyre për të cilën janë betuar dhe për të cilën i obligon Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, KPK siguron publikun se kjo çështje e sulmit ndaj prokurorit Skoro do të trajtohet me prioritet nga të gjitha organet kompetente, dhe sulmuesi do të nxirret shumë shpejt para organeve të drejtësisë.
Ndryshe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ka njoftuar opinionin se gjatë ditës së sotme është sulmuar fizikisht prokurori i Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore në Prizren, Atnor Skoro.
Prokurori Atnor Skoro ka përfaqësuar sot në gjykatë një aktakuzë në cilën ka qenë i përfshirë i pandehuri B.R, dhe rreth orës 13:00, duke u kthyer në vendin e tij të punës, afër objektit të Prokurorisë Themelore në Prizren, i dyshuari B.R i ka dalur përpara prokurorit Skoro dhe e ka sulmuar atë fizikisht, duke e goditur në kokë, ku pas kryerjes së këtij akti, i dyshuari me shpejtësi është larguar nga vendi i ngjarjes, dhe i njëjti për momentin është në arrati./Telegrafi/