Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) përmes një deklarate për media thekson se respekton të drejtën e shprehjes së mendimit të lirë të secilit individ dhe subjekt politik, mirëpo deklarimet dhe qëndrimet e kandidatëve, të cilët janë pjesë e fushatës zgjedhore, duhet të jenë të përmbajtura dhe në respektim të plotë të ndarjes së pushteteve dhe të mos përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën e Gjyqësorit, përkatësisht, Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Prokurorit të Shtetit.
Në reagim më tej thuhet se kryeprokurori i Shtetit zgjidhet dhe i përgjigjet vetëm Këshillit Prokurorial të Kosovës, prandaj detyrat, obligimet dhe mandati i tij janë të përcaktuara nga Kushtetuta dhe ligjet e vendit, e jo nga vullnetet politike.
“Më këtë rast, theksojmë se sistemi prokurorial me mbështetje të fuqishme edhe të partnerëve ndërkombëtarë është duke u angazhuar maksimalisht për avancimin e mekanizmave të brendshëm në fuqizim të llogaridhënies, transparencës dhe efikasitetit, si dhe forcimit të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, thuhet më tej. /Telegrafi/