Telegrafi

Këshilli i Prindërve të Prishtinës: E turpshme kërkesa e partive politike që të bëjnë tubime elektorale në shkolla

Foto: Ilustrim

Këshilli i Prindërve të Komunës së Prishtinës janë shprehur të shqetësuar pasi thonë se partitë politike kanë kërkuar të mbajnë tubime elektorale në brendësi të shkollave.

Në reagimin e tyre thuhet se jo vetëm që kërkesa është e papranueshme, por edhe e rrezikshme.

“Kryesia e Këshillit të Prindërve në Prishtinë shpreh shqetësimin e madh me informacionin se partitë politike janë duke kërkuar që në hapësirat e brendshme të shkollave në Komunën e Prishtinës të zhvillojnë takime elektorale”, thuhet në reagim.

Po ashtu, tutje thuhet se kërkesa është edhe e turpshme.

“Ne jo vetëm që e vlerësojmë se kjo kërkesë është e papranueshme, por edhe rrezikshme (e besa edhe e turpshme), nga kushdo që e bën në këtë situatë që jemi, kur mezi i kemi hapur shkollat. Çdo aktivitet i tillë në shkolla i rrezikon fëmijët, stafin e shkollave por dhe krejt procesin mësimor”, thuhet në reagim.

Këshilli i Prindërve ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve të shkollave dhe Drejtorisë komunale të Arsimit, të refuzojnë kërkesa të tilla.

“Andaj ju bëjmë thirrje të gjithë prindërve, anëtarë të Këshillave Drejtues të shkollave, drejtorëve të shkollave dhe Drejtorisë Komunale të Arsimit që kërkesat e tilla të refuzohen plotësisht dhe të na i raportojnë partitë politike e individët që i bëjnë kërkesat e këtilla. Shkollat janë të nxënësve, fushatat mbajini jashtë”, thuhet në reagim. /Telegrafi/