Këshilli i Prindërve të Kosovës ka kundërshtuar vendimin e Qeverisë Hoti që gjysmëvjetori në shkolla fillore dhe të mesme të përfundojë më 18 dhjetor.
Ky Këshill përmes një njoftimi për media ka thënë se nuk është konsultuar nga Qeveria për vendimin.
“KPK-ja konsideron se gjendja e pandemisë nuk e ka rënduar procesin mësimor sa për ta marrë qeveria një vendim të tillë, i cili fare nuk shkon në interes të nxënësve ngase viti shkollor ka filluar me vonesë, punohet me orar të shkurtuar dhe se interesi i nxënësve është që sa më gjatë të qëndrojnë në proces mësimor dhe jo të pushojnë pa nevojë 1 muaj”, thuhet në komunikatë.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka vendosur që gjysmëvjetori i parë të përfundojë, më 18 dhjetor dhjetë ditë më herët se që parashihej.