Komisioni pranë Këshillit për vërtetimin e fakteve, i cili u formua më 25 gusht për të vërtetuar parregullsitë e mundshme nga ana e gjykatësve të cilët kanë vendosur për rastet “Shënjestra” dhe “Fortesa”, për herë të parë është deklaruar në opinion.
Ata përmes një kumtese informojnë se sot kanë kryer hetim në nënshkrimet e lëndëve të Gjykatës Themelore Shkupi 1 dhe Gjykatës së Apelit, me qëllim të mblidhen prova për përgatitjen e raportit, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Bëhet fjalë për gjykatësit Lenka Davitivska, Tatjana Mihajllova, Dijana Gruevska, Liljana Shopova, Safet Kadrii dhe Cvetanka Periq, si dhe për gjykatësit e Gjykatës së Lartë: Jovo Vangellovski, Faik Arsllani, Risto Katavenovski dhe Xhemail Saiti, si dhe gjykatësit Vasil Grçev dhe Kiro Zdravev.
Komisioni në mënyrë shtesë do të kryejë hetim edhe në nënshkrimet e lëndëve në Gjykatën e Lartë. Procedura do të vazhdojë në pajtim me ligjin dhe opinioni do të njoftohet në kohë.
Këshilli i cili ka filluar procedurat për llogaridhënie të gjykatësve, ka vendosur të rishikojë iniciativat kundër gjykatësve, të cilët kanë vendosur në rastet e PSP-së “Shënjestra” dhe “Fortesa”.
Shoqata “Zelena Lupa” deri tani ka dorëzuar dy iniciativa për gjithsej 12 gjykatës, lidhur me lëndët “Shënjestra” dhe “Fortesa”./Telegrafi/