Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë pas dëmtimeve të fundit në Kalanë e Novobërdës (Artanës), si aset i trashëgimisë kulturore me zonë të veçantë të mbrojtur.
Përmes një komunikate Këshilli thotë se shkatërrimi dhe dëmtimi i këtij aseti ka një histori të gjatë, për të cilën KKTK ka raportuar dhe reaguar në vazhdimësi.
“Në kuadër të raportit për gjendjen e trashëgimisë kulturore që KKTK ka prezantuar në dhjetor të vitit 2018, projekti i Kalasë së Novobërdës – Artanës, është pasqyruar si rast që ka tejkaluar të gjitha procedurat e parapara ligjore, dhe gjendja e saj pas intervenimeve mbetet e keqe, me çarje muresh dhe dëmtime të tjera strukturale. As ky projekt, sikurse projektet e tjera, nuk është dorëzuar për vlerësim në Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore, siç parashihet me nenin 5.2 të Ligjit për Trashëgimi Kulturore”, thotë komunikata.
KKTK thekson se deri më tani nuk ka asnjë informacion zyrtar se kush e ka vlerësuar këtë projekt, kush ka qenë institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen e punimeve dhe kush ka bërë pranimin e punimeve që tanimë është dëmtuar rëndë dhe rrezikon të rrënohet.
“Kompania ‘Koto’ nga Serbia që ka kryer punimet në këtë aset të trashëgimisë kulturore nuk ka qenë e licencuar, siç e parasheh neni 4.16. i Ligjit për Trashëgimi Kulturore. Neglizhenca e institucioneve, mungesa e kontrollit dhe llogaridhënies janë disa nga faktorët kryesor që po çojnë në shkatërrimin dhe dëmtimin e trashëgimisë kulturore…. Kërkojmë nga të gjitha institucionet përgjegjëse që të respektohet Ligji për Trashëgimi Kulturore dhe ligjet e tjera të fushës dhe që ndaj personave përgjegjës të iniciohen procedurat e parapara ligjore”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/