Site icon Telegrafi

Këshilli i Nxënësve të Kosovës kundër grevës së mësimdhënësve

Këshilli i Nxënësve të Kosovës (KNK) ka reaguar ndaj grevës së mësimdhënësve të organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë.

Me anë të një reagimi KNK thekson se nuk e përkrah grevën e organizuar nga Sindikata.

“Ne si Këshill i Nxënësve të Kosovës- si organizatë përfaqësuese e nxënësve të gjithë nxënësve të shkollave të mesme në bashkëpunim me Këshillin Rinor Kosovar-KYC  konsiderojmë që pakënaqësitë lidhur me rritjen e pagave, sado legjitime duhet të adresohen në forma tjera, që nuk e pengojnë procesin mësimor, nga i cili pësojnë më shumë, dhe se zëvendësimi i orëve nuk ofron efektin e njëjtë të procesit mësimor”, thuhet në komunikatë, përcjell Telegrafi.

Po ashtu në komunikatën e Këshillit të Nxënësve shkruan se konsideruar në legjislacionin në fuqi, në ligjin për grevë shkruan se grevat nuk mund të deklarohen pa u shterrur gjitha mjetet e pajtimit mes palëve.

“Andaj KNK duke besuar në të drejtën e mësimdhënësve për grevë, të njëjtëve ju rekomandon të shterin gjitha mjetet, në mënyrë që të mos e dëmtojnë të drejtën tonë për mësim. Greva duhet të ndërpritet, dhe institucionet si SBASHK, Ministria e Arsimit, dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale të bashkëpunojnë për një zgjidhje të përshtatshme”, theksohet në komunikatë.

Ndryshe sot ka qenë dita e parë e grevës e organizuar nga Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, të cilët po kërkojnë rritje të koeficientit të pagave për mësimdhënësit. /Telegrafi/

 

Exit mobile version