Telegrafi

Këshilli i Ministrave të BE-së do të diskutojë për çështjen e emrit të Maqedonisë

Foto: Arkiv

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, në këshillin e rregullt që do të zhvillohet të hënën në Bruksel, mes tjerash, do të diskutojnë edhe për Maqedoninë dhe përparimin e negociatave të kontestit bilateral për emrin.

Në këtë këshill, pritet që përfaqësuesja e lartë e Unionit, Federica Mogherini, të informojë ministrat për procesin e negociatave, ndërsa shefat e diplomacisë së Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias, duhet të vazhdojnë negociatat, pas raundit të fundit që u zhvillua në New York.

Ndërmjetësuesi i OKB-së, Matthew Nimetz, pas takimeve që u realizuan më 24 dhe 25 maj në New York, tha se ministrat do të vazhdojnë negociatat në Bruksel. Mediat greke kanë raportuar se ky takim do të ndodh nesër, megjithatë ajo akoma nuk është konfirmuar zyrtarisht nga ministritë përkatëse.

Ministria e Jashtme e Maqedonisë ka informuar vetëm rreth vizitës zyrtare të ministrit Dimitrov në Bruksel më 28 dhe 29 maj.