Site icon Telegrafi

Këshilli kundër Etheve Hemorragjike shqyrton situatën epidemiologjike

Nën kryesimin e ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, u mbajt sot takimi i Këshillit Ndërministror për parandalimin dhe luftimin e Etheve Hemorragjike Krime Kongo.

Në këtë takim është raportuar për situatën epidemiologjike në vend, sa i përket EHCC dhe masave që janë duke u zbatuar në komunat më të ekspozuara nga rastet e thumbimit të rriqrave.

Deri tash, janë regjistruar 1639 thumbime, shumica në komunën e Malishevës, në laboratorët e IKSHP-së janë testuar 47 rasteve të dyshuara, prej të cilave vetëm tri kanë rezultuar pozitive.

Në Këshill u tha se në bashkëpunim midis IKSHP-së dhe Komunës së Malishevës, të gjitha zonat e kësaj komune dhe të gjitha shkollat janë mbuluar me aktivitete edukative dhe vetëdijesimi, për mbrojtje nga sëmundja.

Ndërkaq, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka bërë dezinfektimin e fshatrave më karakteristike për EHCC, ndërkohë që po vazhdon dezinfektimi edhe nga kompania e kontraktuar midis Komunës së Malishevës dhe kompanisë së kontraktuar prej tyre për këtë qëllim.

Përveç dezinsketimit të hapësirave të hapura, ku në proces të dezinfektimit janë edhe disa fshatra të kësaj komune dhe oborreve, dezinfektimi dhe dezinfektimi do të vazhdojë edhe nëpër stalla, me qëllim të zvogëlimit të rrezikut të infeksionit.

Megjithëse, nuk ka pasur asnjë rast të vdekjeje gjatë këtij viti me EHCC, Këshilli Ndërministror ka kërkuar që aktivitetet të intensifikohen edhe më tej në terren, ndërsa qytetarëve u është bërë thirrje që t’i zbatojnë masat e kujdesit, duke bashkëpunuar me autoritetet lokale dhe qendrore dhe duke ndihmuar në eliminimin e rrezikut përmes pastrimit të oborreve, kujdesit gjatë punës në fusha e ara dhe lajmërimit te mjeku në rastet e para që thumbohen nga rriqrat. /Telegrafi/

 

Exit mobile version