Këshilli Kombëtar i Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka mbështetur qëndrimin e të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grennell, për vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentit Hashim Thaçi për nominimin e Avdullah Hotit për kryeministër të qeverisë së re të Kosovës.
Menjëherë pas shpalljes së vendimit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, të enjten, Grenell kishte thënë se ky vendim duhet të respektohet nga të gjitha palët.
“Gjykata Kushtetuese foli. Për të siguruar paqen dhe stabilitetin dhe për të mbështetur integritetin e sistemit të drejtësisë së Kosovës- të gjithë duhet të respektojnë vendimin e Gjykatës. Mezi pres të vazhdoj punën time me njerëzit e Kosovës dhe qeverinë e tyre për të sjellë prosperitet, zhvillim dhe punë në rajon”, ka thënë Grenell.
Statement from Special Envoy @RichardGrenell on the decision by #Kosovo’s Constitutional Court. The United States calls on all parties to respect the Court’s decision. https://t.co/GOJFq67bLJ
— NSC 45 Archived (@WHNSC45) May 29, 2020
Këshilli Kombëtar i Sigurisë së SHBA-ve në Twitter kur e publikoi qëndrimin e Grenell thanë se “Qëndrimi i Përfaqësuesit Special Richard Grenell për vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje për të gjitha palët që ta respektojnë vendimin e Gjykatës”.
Qëndrimi i Grenell së pari ishte publikuar në Ambasadën e SHBA-së në Gjermani, ku më vonë ishte publikuar edhe në profilin zyrtar të Këshillit Kombëtar të Sigurisë. /Telegrafi/