Telegrafi

Këshilli jofunksional

Dialogu social në Kosovë vazhdon të jetë gjysmak, ashtu siç është edhe mekanizmi ku adresohen çështjet e punëtorëve. Institucionet që duhet të jenë pjesë e Këshillit Ekonomik Social vazhdojnë t’i adresojnë akuzat në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale si shkak i mosfunksionimit të këtij këshilli.

Me formimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 12 dhjetorit, anëtarët e KES-it do t’i dorëzojnë rekomandimet e tyre Qeverisë për funksionalizimin e këtij këshilli. Gjatë vitit të kaluar nuk ka pasur takime të rregullta dhe as vendime funksionale për shkak të bojkotimit të mbledhjeve nga ana e anëtarëve të këtij këshilli, i cili nuk e ka as agjendë vjetore, shkruan Express.

Përfaqësues të BSPK-së thonë se nuk do të marrin pjesë në Këshillin Ekonomik Social, derisa Qeveria të definojë se kush mund të jetë anëtar i këtij këshilli. Ndërkaq, në Odën Ekonomike të Kosovës thonë se ky këshill nuk është i kompletuar. Sipas tyre, me krijimin e qeverisë së re do të japin rekomandimet e tyre për funksionalizimin e tij.

Haxhi Arifi, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thotë se Këshilli nuk ka qenë funksional asnjëherë për shkak se në përbërjen e tij nuk janë të respektuara kriteret e caktuara nga Qeveria. Ai thotë se me themelimin e Qeverisë do t’i adresojnë të gjitha problemet që po e bëjnë jofunksional këtë institucion dhe presin që të zgjedhin njëherë e përgjithmonë këtë çështje.

“Ne do të ulemi bashkërisht dhe do të shohim të gjitha mundësitë për të ardhur deri të respektimi i vendimit të Qeverisë me të vetmen arsye që Këshilli të jetë funksional”, tha Arifi. Sindikata, sipas tij, duhet të ketë 5 anëtarë e jo katër sa i ka tani. /Telegrafi/