Telegrafi

Këshilli i Investitorëve Evropianë mirëpret masat e rishikuara të Qeverisë për importet nga Serbia

Këshilli i Investitorëve Evropianë në Kosovë ka mirëpritur vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për të ndryshuar masat e sigurisë për produktet e importuara nga Serbia, duke e cilësuar këtë hap si një zhvillim të rëndësishëm për bashkëpunimin ekonomik rajonal.

Sipas Këshillit, ky ndryshim reflekton përputhjen e Kosovës me standardet evropiane dhe ndërkombëtare të tregtisë, duke e afruar vendin më pranë nismave të integrimit rajonal dhe euro-atlantik. Vendimi, sipas tyre, është një tregues i qartë i përkushtimit të Kosovës për të forcuar marrëdhëniet ekonomike me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për të krijuar një treg të hapur dhe konkurrues.

Reduktimi i barrierave tregtare dhe lehtësimi i qarkullimit të mallrave shihet si një masë kyçe për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të reja.

Kjo nismë, sipas Këshillit, mund të kontribuojë ndjeshëm në krijimin e lidhjeve më të forta mes vendeve të rajonit dhe në rritjen e stabilitetit ekonomik.

“Krijimi i një tregu të lirë, ku njerëzit, mallrat, shërbimet dhe kapitali mund të lëvizin pa pengesa, është një hap i rëndësishëm për rajonin dhe për integrimin më të thellë ekonomik,” thuhet në deklaratën e Këshillit.

Këshilli thekson rëndësinë e eliminimit të të gjitha pengesave ekzistuese për liritë themelore të tregut, duke e konsideruar këtë një kusht të domosdoshëm për një ekonomi rajonale më të integruar dhe konkurruese në Ballkanin Perëndimor, njofton Telegrafi.