Site icon Telegrafi

Këshilli i Investitorëve Evropianë mirëpret masat e rishikuara të Qeverisë për importet nga Serbia

Këshilli i Investitorëve Evropianë në Kosovë mirëpret vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për të ndryshuar masat e sigurisë për produktet e importuara nga Serbia.

Në njoftimin për media thuhet se ky ndryshim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe përputhjes me standardet evropiane e ndërkombëtare të tregtisë.

“Nëpërmjet kësaj lëvizjeje, Kosova jo vetëm që konfirmon përkushtimin e saj ndaj nismave ekonomike rajonale, por edhe fuqizon pozicionin e saj në rrugën drejt integrimit euro-atlantik.

Për më tepër, reduktimi i barrierave për tregtinë dhe lëvizjen e mallrave është kyç për nxitjen e një tregu të hapur dhe konkurrues në Ballkanin Perëndimor. Një qasje e tillë jo vetëm që ndihmon në krijimin e lidhjeve më të forta ekonomike mes vendeve të rajonit, por edhe rrit mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe për tërheqje të investimeve të reja.

Përkushtimi i Qeverisë së Kosovës ndaj bashkëpunimit rajonal është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një tregu të lirë dhe të hapur, ku njerëzit, mallrat, shërbimet dhe kapitali mund të qarkullojnë pa pengesa”, thuhet në reagimin e tyre.

Këshilli i Investitorëve Evropianë beson se është esenciale që Kosova dhe shtetet fqinje të eliminojnë të gjitha pengesat ekzistuese që pengojnë këto liri themelore, duke hapur rrugën për një ekonomi rajonale më të integruar dhe konkurruese, si dhe duke kontribuar në rritjen dhe stabilitetin e përgjithshëm të ekonomisë rajonale. /Telegrafi/

Exit mobile version