Këshilli i Galerisë Kombëtare i është drejtuar me një letër të hapur Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, lidhur me dështimet e njëpasnjëshme për zgjedhjen e drejtorit ekzekutiv në këtë institucion.
Në letrën e hapur të Këshillit Drejtues të Galerisë Kombëtare të Kosovës thuhet se ngatërresa kryesore na vjen nga mos-respektimi i ligjeve, ose më mirë të themi nga keq-interpretimi i tyre.
“Kosova e ka Ligjin për Institucionet e Kulturës, si dhe Statutin e Galerisë Kombëtare të Kosovës, të cilat do të duheshin të ishin e vetmja bazë juridike që e përcakton mënyrën e zgjedhjes së drejtorit të Galerisë”, thuhet më letrën e Këshillit Drejtues të GKK-së.
Më poshtë mund ta lexoni letrën e plotë:
Ka kohë që Këshilli Drejtues i Galerisë Kombëtare të Kosovës është duke tentuar që ta zgjedhë drejtorin ekzekutiv të këtij institucioni. Më saktësisht, në tetë muajt e fundit, u përsëritën pesë konkurse, dhe të gjithë dështuan. Dje, me vendimin e Ministrisë (MKRS), pas propozimit që ia kishte bërë Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për shërbimin civil të Kosovës, u anulua edhe tentativa e fundit, e pesta me rend. Këshilli Drejtues i Galerisë, me iniciativën e shumicës, vendosi të flet!
Ngatërresa kryesore na vjen nga mos-respektimi i ligjeve, ose më mirë të themi nga keq-interpretimi i tyre! Kosova e ka Ligjin për Institucionet e Kulturës, si dhe Statutin e Galerisë Kombëtare të Kosovës, të cilat do të duheshin të ishin e vetmja bazë juridike që e përcakton mënyrën e zgjedhjes së drejtorit të Galerisë. Aq më shumë, Këshilli Drejtues i Galerisë e ka hartuar edhe Rregulloren e punës së tij, dhe atë ia ka kaluar MKRS për aprovim. Këshilli Drejtues para se të procedojë me zgjedhjen e drejtorit, ne tetor te vitit te kaluar, e ka marr një shkresë nga MKRS në të cilën na thuhet se duhet te fillojmë procesin e zgjedhjes duke u bazuar në procedurat e vendosura ne ligjin dhe Statutin e institucioneve të kulturës. Dhe deri këtu shkoi siç është më mirë.
Por së shpejti, nga e njëjta ministri na vjen “urdhri” që zgjedhjen duhet ta bëjmë duke u bazuar në një ligj tjetër, atë të shërbyesve civil, që implikon një qasje krejtësisht tjetër, dhe jo-adekuate për zgjedhjen e një drejtori të institucioneve të kulturës. Ky ligj, thjeshte, nuk e njeh fare institucionin e Këshillit Drejtues te institucioneve te kulturës, (në asnjë vend nuk përmendet ekzistenca e këshillave drejtuese) dhe tash pretendohet se ai duhet t’i rregulloje çështjet vitale ne këtë sektor, edhe pse ato tashme i rregullon Ligji i Institucioneve te Kulturës.
Këshilli, pasi e studioi situatën e re të krijuar me këtë insistim të MKRS-së, dhe procedurat që na i sugjerojnë, e vërejti se është duke u bërë një shmangje e madhe nga ligji dhe aktet tjera juridike të institucioneve të kulturës, duke e sjell një procedurë që nuk është aspak adekuate. Lidhur me këtë brenge tonën i kemi bere disa takime me zyrtare te larte te kësaj ministrie, por kot! Janë dy mospërputhje qenësore ligjore që na i sjell ligji i propozuar për tu aplikuar – ai i shërbyesve civil. Pra, edhe nëse do t’i mbyllnim sytë dhe do te pranonim se ky ligj duhet ta trajtoje çështjen e zgjedhjes se drejtorit, përsëri kemi problem: as ky ligj nuk interpretohet si duhet!
E para është se qysh aty ku ndahet “shapi prej sheqerit”, pra ku përcaktohet se kush janë ata që janë shërbyes civil dhe kush nuk është, bëhet një gabim substancial. Pozita e drejtorit të Galerisë, edhe pse është qartë e përcaktuar se duhet të klasifikohet në stafin që nuk është shërbyes civil, me – një zot e din se çfarë interpretimi – futet në kategorinë e shërbyesve civil! Për ta argumentuar këtë ngatërrim, le ta citojmë ligjin që në formë eksplicite i jep kategoritë që nuk duhet trajtuar me këtë ligj, sepse nuk janë shërbyes civil.
Ligji i Shërbyesve Civil, në nenin 4 thotë: , Kategoritë e punonjësve publikë të cilët nuk janë pjesë e Shërbimit Civil janë: …(1) “krijuesit dhe përformuesit e artit”, dhe … ” të emëruarit politik dhe të gjithë ata që emërohen në pozita nga të emëruarit politik dhe anëtarët e kabineteve të tyre, që nga kabineti i Presidentit, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe kabinetet e ministrave.” Në interpretimin tonë të lirë, ky nen i sjell, jo një, por dy kritere sipas të cilëve pozita e drejtori të Galerisë nuk duhet të klasifikohet si “shërbyes civil”. Derisa kriteri i parë është fare i qartë, kriteri i dytë po ashtu është relevant, sepse Këshilli Drejtues është emëruar me vendim politik të Ministrit, pra janë të emëruar politik, të cilët e emërojnë drejtorin ekzekutiv, i cili rrjedhimisht nuk hyn në kategorinë e shërbyesve civil. Mjafton vetëm njëra nga këto dy kategori që të shmanget domosdoshmëria e aplikimit të proceduarve civile.
Për të argumentuar më tutje: Nëse dy ligje e adresojnë të njëjtin subjekt/proces, siç, le të themi pretendohet në këtë rast, atëherë duhet respektuar ai që është juridikisht më “i vjetër”. Në këtë rast është obligim të respektohet Ligji për Institucionet e Kulturës, i cili është ligj burimor ose më mirë të themi resorial. Po ashtu, të gjithë e dimë se sa të rëndësishme janë në jurispondencë precedencat, pra rastet e mëparshme që duhet marrë shembull. S’kemi nevojë të shkojmë më larg se te zgjedhja e drejtorit paraprak të Galerisë, i cili u zgjodh kryekëput duke i respektuar procedurat e dhëna në Ligjin e Institucioneve të Kulturës. Pse tash nuk po bëka? Çka ka ndodhë në ndërkohë? Pse edhe ky Këshill nuk mund të veprojë si ai paraprak, aq më shumë që asnjë komision apo këshill civil nuk e kishte ankimuar veprimin e tyre? Ku ishte atëherë Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për shërbimin civil të Kosovës, ose ndonjë institucion tjetër adekuat që kujdeset për ligjshmërinë e vendimeve që merren?
Këshilli Drejtues i Galerisë, me shumicën dërmuese të votave, ka vendosur që t’ia bënë me dije MKRS-së që nuk është i gatshëm që ta vazhdojë këtë lojë të ngatërruar pafundësisht, dhe se kaosi i krijuar me ligje të zbehta, ngatërrim procedurash, interpretim të shtrembëruar të akteve juridike, si dhe neglizhenca e skajshme në mbështetje të punës së Galerisë dhe Këshillit, nuk do të tolerohen më tutje, dhe do të jemi të obliguar t’i hapim rrugë atyre që mund të punojnë në këtë ambient. Ne kemi evidencë për keq interpretimin flagrant të ligjit që i është bërë vendimit të fundit të Këshillit Drejtues, gjatë zgjedhjes së drejtorit: ne preambulë të vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për shërbimin civil të Kosovës, që interpreton arsyet e refuzimit të punës së bërë nga Këshilli, citohet një paragraf që fare nuk i referohet çështjes që ata e ngrehin! E bënë të kundërtën! Interpretime të tilla kuturu ka shumë, shumë më shumë se që mundet t’i kapërdijë një këshill si ky i yni.
Do të ju sugjeronim që të na lini të punojmë ashtu si duhet, duke i respektuar ligjet në fuqi – siç keni bërë me këshillin paraprak – i cili arriti shumë rezultate të mira, dhe nuk i humbi tetë muaj për të luftuar me mulli të erës, siç na duhet neve.
Këshilli i Galerisë Kombëtare:
(Adriana Sedaj, Prof. Esat Valla, Prof. Nexhat Krasniqi, Prof. Ismet Jonuzi, Prof. Afrim Spahiu, Luan Shllaku, Kimete Berisha)