Këshilli Gjyqësor i Kosovës do të mblidhet gjatë javës së parë të muajit shtator për shqyrtimin e reagimit të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mos transparencë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për emërimet e Kryetarit të Gjykatës së Apelit, si dhe të Kryetarit të Gjykatës Supreme.
Përmes një njoftimi për media ky këshill bënë të ditur se anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (“KGJK”), janë informuar lidhur me Deklaratat e lëshuara nga partnerët ndërkombëtar të Këshillit që kanë të bëjnë me procesin e përzgjedhjes dhe të emërimit të Kryetarit të Gjykatës Supreme dhe të Gjykatës së Apelit.
“KGJK ka ndërmarrë të gjitha veprimet për zbatimin e Aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, nr. KI 34/17 and nr. KI 55/17, lidhur me këto emërime menjëherë pas publikimit. Në pajtim me pikën VI të Aktgjykimeve, me datën 18 gusht 2017 KGJK ka informuar Gjykatën Kushtetuese për masat e ndërmarra për zbatimin e Aktgjykimeve përkatëse”, thuhet në komunikatë.