Telegrafi

Këshilli i Ambasadorëve i propozon Kuvendit të Shqipërisë që dita e Pavarësisë së Kosovës të shpallet festë zyrtare

Këshilli i Ambasadorë Shqiptarë i ka propozuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë që dita e Pavarësisë së Kosovës të shpallet festë zyrtare.

Në njoftimin për media thuhet se Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i ka drejtuar shkresë zyrtare Kuvendit të Shqipërisë dhe beson se një vendim i tillë do të gëzonte dhe do të mbështetej nga çdo shqiptar kudo ku jeton, pavarësisht bindjeve politike.

Në kërkesë e Këshillit thuhet se një kërkesë e tillë vjen duke vlerësuar 17 Shkurtin e vitit 2008, ditën e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë tonë kombëtare dhe si përmbushjen e një aspirate shekullore të kombit tonë në rrugën e tij drejt forcimit të identitetit, bashkimit kombëtar dhe integrimit në strukturat euro – atlantike.

Më tej thuhet se dita e pavarësisë së Kosovës po ashtu është një ditë e shënuar që frymëzon çdo shqiptar, si ngjarje madhore për të cilën kanë kontribuar shqiptarët anembanë botës, me mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve, BE-së, NATO-s dhe vendeve të tjera aleate dhe mike. /Telegrafi/