Telegrafi

Këshillat, jo të mjaftueshme për pacientët me infarkt

Në Shtetet e Bashkuara, infarkti është shkaku më në rritje i shtrimit në spital. Edhe në vende të tjera shumë njerëz vuajnë nga kjo sëmundje. Statistikat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se të paktën 17 milionë njerëz në mbarë botën vdesin çdo vit nga sëmundje kardiovaskulare duke përfshirë infarktin.

Mjekët thonë se edukimi i pacientëve me infarkt për t’u kujdesur për veten është çelësi në suksesin e trajtimit të sëmundjes. Kujdesi për veten përfshin marrjen e barnave në kohë, kufizimin e kripës në ushqim, pakësimin e pijeve alkoolike, aktivitetin e rregullt fizik, kontrollin e peshës dhe lënien e duhanit.

Studimet tregojnë se 50 deri në 80 për qind e pacientëve me infarkt nuk e ndryshojnë mënyrën e të jetuarit, ndërsa 30 deri në 60 për qind nuk i marrin rregullisht ilaçet. Mjekët thonë se arsyeja për këtë nivel kaq të lartë të të prekurve me infarkt është se pacientët ndjehen të mposhtur nga vështirësia për të ndjekur këshillat e mjekut.

Gjatë një studimi, mjeku James Calvin dhe studiues të tjerë donin të shihnin mundësitë për të ndihmuar këta pacientë: "Donim të shihnim në se mund të ndryshonim sjelljen e pacientëve përmes edukimin si dhe përmes ndihmës për të mësuar teknikat e menaxhimit të vetvetes".

Disa pacientë me infarkt morën materiale për të lexuar nga Shoqata Amerikane e Zemrës, ndërsa disa të tjerë, përveç tyre morën edhe konsultime.

"47 për qind e pacientëve ishin femra, 40 për qind ishin pakica, kështu që menduam se kishim një grup pacientësh që përfaqësonin popullatën e pacientëve me infarkt në Shtetet e Bashkuara", thonë autorët e hulumtimit.

Gjatë studimit, mjekët nuk panë ndryshim të madh mes dy grupeve. Në të dyja grupet, rreth 40 për qind e pacientëve u shtruan në spital ose gjetën vdekjen. Edhe pse rezultatet ishin dekurajuese, studiuesit panë se disa pacientë dolën të përfituar.

Profesoresha Lynda Powell është njëra nga studiueset. Ajo drejton departamentin për mjekësinë parandaluese në Qendrën Mjekësore të Universitetit Rush.

"Këshillat për shëndetin ishin inkurajuese për pacientët me të ardhura të ulëta, ndërsa edukimi solli përfitime për pacientët me të ardhura të larta", thotë ajo.

Powell thotë se studimi tregoi se kujdesi më i madh ndaj nevojave specifike të grupeve të ndryshme të pacientëve mund të ketë ndikime. Mjekët synojnë të studiojnë tani efektet e një kurimi të hartuar në bazë të të ardhurave të pacientëve.

Studimi u publikua në Revistën e Shoqatës Amerikane të Mjekësisë. /VoA/Telegrafi/