KESCO ka importuar energji elektrike në vlerë prej rreth 50 milionë euro vetëm gjatë muajit dhjetor, për të siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe të pandërprerë për të gjithë konsumatorët, përfshirë edhe gjatë festave të fundvitit.
Në një njoftim për media bëhet e ditur se duke pasur parasysh rritjen e konsumit, i cili këtë vit ka arritur deri në 1500 MË, KESCO kërkon mirëkuptimin e konsumatorëve për të kursyer energjinë elektrike aty ku është e mundur.
“Në veçanti, ngrohja me energji elektrike mbetet një ndër faktorët kryesorë të mbingarkesave në rrjetin elektroenergjetik.
Për të garantuar një furnizim të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë, kursimi i energjisë elektrike është jetik, sidomos gjatë periudhave të pikut të konsumit”, thuhet në njoftim.
Po ashtu në njoftim bëhet e ditur se për të qenë pranë konsumatorëve edhe gjatë natës së ndërrimit të viteve, KESCO ka aktivizuar ekipe shtesë në Qendrën e Thirrjeve, të gatshme për të ofruar përgjigje të shpejtë dhe për t’ju informuar mbi çdo situatë të mundshme në rrjet.
“KESCO falënderon të gjithë konsumatorët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm. Po ashtu, apelon që të kontribuohet në kursimin e energjisë dhe, aty ku është e mundur, të përdoren alternativa të tjera për ngrohje, si sobat me dru apo ngrohësit me pelet.
Kursimi i energjisë është thelbësor për të garantuar furnizimin e qëndrueshëm dhe për të kaluar së bashku sfidat e dimrit. KESCO ju uron një Vit të Ri të lumtur dhe të begatë, pranë familjeve tuaja. Gëzuar Vitin e Ri 2025”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/