int(1) KESCO importon energji shtatëfish më të shtrenjtë - Telegrafi
Site icon Telegrafi

KESCO importon energji shtatëfish më të shtrenjtë

Rëniet e paplanifikuara të njësive të vjetruara të termocentralit “Kosova A” dhe “Kosova B” kanë shkaktuar probleme në furnizimin me energji elektrike. Gjatë dy ditëve të fundit ka pasur reduktime të energjisë elektrike, përkundër temperaturave të larta që po mbretërojnë në Kosovë.

Rënia e njësive i ka përplasur Furnizuesin Publik dhe KEK-un. Për disa ditë ka qenë Kompania Kosovare e Furnizimit me Energji Elektrike-KESCO, që është furnizues publik me energjisë elektrike që ka lëshuar komunikata të njëpasnjëshme për rënien e njësive gjeneruese të KEK-ut, shkruan sot Koha Ditore.

“Kosova është në situatë shumë të vështirë energjetike, për shkak të ndërprerjes së paplanifikuar të prodhimit në KEK”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga KESCO. Madje, ata kanë thënë se kjo krizë është më e rëndë se ajo e vitit të kaluar kur ishin paaftësuar dy njësi nga shpërthimi. Por, KESCO e ka pranuar se për shkak të temperaturave të larta edhe në rajon ka mungesë të energjisë në treg për të importuar. E temperaturat e larta përmenden nga KEK-u si shkaktar rënien e njësive prodhuese.

Importi i energjisë elektrike në këtë kohë është shumëfish më i shtrenjtë.

“Edhe pse jo obligim i KESCO-s, ne jemi duke importuar energjinë që është e disponueshme në treg me çmim shtatë herë më të shtrenjtë (130 euro për megavat) për të tejkaluar më lehtë situatën e shkaktuar nga prishjet e paplanifikuara në KEK”, thuhet në komunikatën e Furnizuesit Publik. /Telegrafi/

Exit mobile version