Site icon Telegrafi

Kermabon: Gjykatësit vendorë do kthehen në punë

Kermabon tha se për momentin nuk mund ta dijë se kur do të kthehen gjykatësit dhe prokurorët vendorë në punë. Kurse, aktualisht, ai tha se gjykatat në veri të Mitrovicës funksionojnë vetëm me personelin e BE-së, përkatësisht EULEX-it.

“Ne po punojmë që t’i kthejmë sa më shpejt që të jetë e mundur gjykatësit dhe prokurorët shqiptarë dhe ata serbë në punë, në mënyrë që këto gjykata të fillojnë punën sërish. Ka shumë raste që presin të shqyrtohen, por momentalisht këtu kemi vetëm prokurorët dhe gjykatësit e BE-së”, tha Kermabon.

Ai e ka vlerësuar si të mirë gjendjen e sigurisë në Mitrovicë, ku, sipas tij, organet e rendit po e kryejnë shumë mirë punën e tyre. “Aktualisht, gjendja e sigurisë është e mirë, kurse policia po e kryen punën e vet mirë. Ka hapësirë për përmirësime, prandaj edhe ne jemi këtu dhe ne mund të intervenojmë që ta përkrahim policinë vendore”, tha Kermabon.

Në interesimin e mediave lidhur me paralajmërimet në Beograd për disa vizita të nivelit të lartë të zyrtarëve të shtetit serb në Kosovë, shefi i EULEX-it tha se misioni i tij nuk vendos nëse do të lejohen apo jo këto vizita, por në rast se realizohen, EULEX-i, tha Kermabon, mund të marrë përsipër sigurimin e eskortave të zyrtarëve serbë, duke pasur parasysh shkallën e lartë të sigurisë që kërkohet në këso raste. /Radio Evropa e Lirë/

Exit mobile version