Telegrafi

Kërkonin djalin e rrëmbyer meksikan, gjetën 23 tjerë – i detyronin të kërkojnë lëmoshë dhe të shesin gjësende nëpër rrugë

Hetimet për zhdukjen e dyvjeçarit Dilan Perez në qytetin San Cristobal në shtetin meksikan Chiapas, aksidentalisht ka quar hetuesit e policisë deri në një shtëpi brenda të cilës qëndronin 23 fëmijë tjerë të rrëmbyer, që janë detyruar nga rrëmbyesit e tyre të kërkojnë lëmoshë dhe të shesin gjësende të ndryshme nëpër rrugët e qytetit.

Siç raporton AP, gjykata në Chiapas ka bërë të ditur se gjatë futjes së organeve të rendit në shtëpinë e dyshuar, janë gjetur fëmijë të moshës nga 2 deri në 15 vjet si dhe tri foshnje, transmeton Telegrafi.

Gjykatësi i lëndës paraprake ka njoftuar se fëmijët që janë detyruar të shesin gjësendet nëpër rrugët e San Cristobalit, i janë ekspozuar vazhdimisht dhunës psikike dhe fizike, duke i lënë pa bukë e ujë.

Në kumtesën e policisë thuhet se kamerat e sigurisë kanë kapur momentin kur një vajzë e moshës 13-vjeçare e kap për dore Dilan Perezin e zhdukur e rrëmben, derisa nëna e tij ishte shpërqendruar derisa paguante artikujt ushqimor që i kishte blerë.

Të ëmës së Dilanit të rrëmbyer, i është konfirmuar se asnjëri prej 23 fëmijëve të gjetur nuk është djali i saj. E ëma e tij kishte shkuar deri në Mexico City, duke kërkuar nga presidenti meksikan Andres Lopez Obrador që ta ndihmojë në gjetjen e të birit. /Telegrafi/