Site icon Telegrafi

Kërkon hisen e saj nga ish-bashkëshorti

Zyrafete Huskaj pas ndarjes nga burri i saj po kërkon në gjykatë njohjen e të drejtës për trashëgimi pronësore.

Huskaj këtë të drejtë po e kërkon me padi ndaj burrit të saj Hasan Huskaj në Gjykatën Themelore të Pejës në lidhje me shtëpinë dhe pronën në fshatin Lubeniq.

Ky çift u nda derisa bashkë me 3 fëmijët e tyre jetonin në Norvegji.

Zyrafete Huskaj që jeton ende në shtetin skandinav, trashëgiminë pronësore po e kërkon në bazë të kontributit material.

“Krejt çka kemi ndërtuar në truall bashkë e kemi bërë-shtëpinë, pozllomin, oborrin e kemi rregulluar dhe të gjitha gjërat brenda dhe jashtë janë bërë bashkë deri në vitin 2012,” tha ajo në gjykatë.

Përveç kontributit për shtëpinë dhe pronën, Huskaj tha se ka kontribuuar edhe për rritjen e tre fëmijëve të këtij ish-çifti.

Por kontributin e ish-gruas së tij e mohoi Hasan Huskaj.

“Jam kurorëzuar me Zyrafeten në vitin 1999, ndërsa e kam prishur kurorën në vitin 2002 dhe Zyrafetja ne atë kohë nuk ka punuar”, tha Hasan Huskaj.

Në gjykatë pastaj dëshmuan të ndarët në vitin 2002.

Ata treguan se u martuan sipas traditave shqiptare në ditën e fundit të vitit 1994, por martesën e zyrtarizuan vetëm në vitin 1999 në Norvegji.

Paditësja Zyrafete Huskaj tha se edhe pas prishjes së kurorës në vitin 2002, bashkëjetoi me Hasan Huskajn deri në vitin 2012, një gjë ish-burri i saj e mohoi.

KALLXO.com ndoqi edhe raste tjera të kërkimit të së drejtës së pronës, të ngjashme me këtë të Zyrafete Huskajt.

Më 30 maj Gjykata Themelore në Prishtinë ia njohu Shukrije Berishës pronësinë në një të gjashtën e shtëpisë dhe një të dhjetën e oborrit.

Berisha kishte paditur kunetërit e saj pasi ishte përjashtuar nga e drejta e trashëgimisë.

Edhe Shyhrete Berisha, e mbijetuara e masakrës ndaj familjes Berisha në Suharekë në vitin 1999, në të cilën masakër ajo humbi burrin dhe fëmijët, është duke e kërkuar në gjykatë shtëpinë ku jetoi para se t’i vriteshin më të dashurit.

Exit mobile version