Një person është arrestuar pasi ka tentuar që të përfitojë para në emër të kryeministrit duke hapur një faqe në Facebook me emrin “Rilindje”.
Arjan Neli, 30-vjeç, lindur dhe banues në Lezhë ka postuar në emër të kryeministrit Edi Rama dy llogari bankare në këtë faqe dhe shumë shtetas kanë hedhur para në këto llogari.
Zëvendës drejtoresha e përgjithshme e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj tha se numrat e llogarisë ishin llogari private të këtij shtetasi dhe se gjatë kësaj kohe të shkurtër qytetarë të ndryshëm kanë rënë pre e këtij mashtrimi duke bërë derdhje shumash të ndryshme.
“Policia e Shtetit, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Inteligjencës Financiare dhe të sistemit bankar kanë marrë masa për bllokimin e kësaj llogarie”, tha Hajnaj, duke shtuar se i vetmi kanal unik shtetëror për ofrimin e donacioneve apo ndihmave është nëpërmjet portalit e-albania/dhuro.
“Policia e Shtetit, duke shprehur solidaritetin e plotë me të gjitha familjet e dëmtuara, mbetet e angazhuar maksimalisht, në misionin e saj në shërbim të qytetarëve. Për çdo denoncim apo sinjalizim të çfarëdolloj abuzimi apo shkeljeje të ligjit, telefononi në numrin 112”, tha zëvendës drejtoresha e përgjithshme e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj./TCh