Site icon Telegrafi

Kërkojnë t’u njihet stazhi i punës

Punëtorët e Administratës Publike po kërkojnë që t’u njihet stazhi i punës gjatë viteve të nëntëdhjeta. Por, një mundësi të tillë po e hedh poshtë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale

Mësimdhënësit që kanë punuar gjatë viteve ’90-a tashmë kanë filluar të aplikojnë për njohjen e përvojës së punës për vitet e punës në këtë periudhë, ku kjo u hap rrugë që ata t’i përfitojnë pensionet kontributdhënëse. Kjo do të ndodhë nëse mësimdhënësit ofrojnë dëshmi në përvojën e punës prej 15 vjetësh atëherë ai mësimdhënës kalon në pensionin kontributdhënës varësisht nga kualifikimi i tyre. Por, kjo njohje e stazhit të punës nuk pritet të ndodhë edhe për kategoritë e tjera.

Musa Demiri, zyrtar për informim në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka thënë për gazetën “Zëri” se sapo ka filluar procesi i aplikimit për mësimdhënësit dhe se ky proces është ende në fazat e fillimit. “Procesi i njohjes së stazhit të punës për mësimdhënësit që kanë punuar gjatë viteve të ‘90-ta sapo ka filluar dhe të gjithë aplikuesit që i kanë plotësuar kriteret e parapara me legjislacionin në fuqi i marrin pensionet në kategorinë e pensionistëve kontributpagues”, ka thënë ai.

Demiri ka bërë të ditur se kjo nuk pritet të ndodhë edhe për kategoritë e tjera, pasi që nuk ka bazë ligjore për një njohje të tillë. Ai ka thënë se njohja e stazhit të punës ashtu siç është kërkuar nga Sindikata e Administratës Publike nuk pritet të ndodhë derisa të mos bëhen ndryshimet ligjore.

“Me infrastrukturën aktuale ligjore janë të përcaktuara kriteret që duhen plotësuar për të qenë përfitues i pensionit për çdo skemë pensionale, nëse në ndërkohë do të ketë ndryshime ligjore atëherë ato do të respektohen edhe për kategoritë tjera”, ka thënë ai duke mos treguar se a pritet të ndodhin ndryshimet ligjore lidhur me këtë. /Telegrafi/

Exit mobile version