Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Alain Giresse ka folur rreth të gjitha temave që përfshijnë kampin dardan në një konferencë për media në prag të ndeshjes së parë kundër Rumanisë, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024, e në veçanti për mos ftesën e sulmuesit të Royal Antëerp, Arbnor Muja.
Kosova do të ndeshet Rumaninë më 16 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, nga ora 20:45 dhe për këtë ndeshje ka nisur konferencën Giresse.
Megjithatë, interesimi i gazetarëve kishte të bënte me mos ftesën e Arbnor Mujës, i cili para disa ditësh u shpall kampion i Belgjikës me Royal Antwerp.
Giresse zbuloi se Muja ishte i ftuar për këto dy ndeshje, ashtu sikurse ishte për ndeshjet e nëntorit, kur nuk erdhi.
Megjithatë, arsyeja e mos ardhjes së Mujës kishte të bënte me faktin se sulmuesi mitrovicas kishte kërkuar garanci për fanellën e titullarit.
“Për sa i përket Mujës, ai nuk ka ardhur në miqësoren e nëntorit. Është ftuar, por nuk ka ardhur. Muja ka qenë pjesë e ekipit të Kosovës për dy ndeshjet e qershorit, por ka kërkuar të jetë titullar. I kam thënë se vendin e titullarit nuk mund ta ketë askush të sigurt”, ka thënë Giresse në konferencë për shtyp.
Muja luajti 37 ndeshje në të gjitha garat këtë sezon, duke shënuar gjashtë gola dhe duke dhuruar gjashtë asistime, ndërsa vetëm në Superligën e Belgjikës, pati 28 ndeshje me 3 gola dhe 4 asistime.
Ndryshe, pas ndeshjes me Rumaninë, Kosova do të udhëtojë drejt Budapestit për t’u ndeshur me Bjellorusinë në ndeshjen e dytë kualifikuese të këtij muaji. /Telegrafi/