Gjykata e Posaçme e Shqipërisë rrëzoi kërkesat paraprake të Fredi Belerit dhe Pandeli Kokaveshit për shpalljen e pavlefshme të akteve hetimore.
GJKKO vlerësoi se kjo kërkesë ishte e pabazuar në ligj. Pas këtij vendimi avokatët e Belerit kërkuan përjashtimin e trupës gjykuese. Beleri nuk ishte i pranishëm në seancë por përfaqësohej nga avokatët.
Beleri kërkonte pushimin e çështjes, me pretendimin se nuk ka asnjë provë që ta përfshijë në veprën penale për të cilën akuzohet.
Fredi Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, pasi u kap në flagrancë bashkë më bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi duke blerë vota. Beleri nuk ka mundur të marrë detyrën, pasi autoritetet gjyqësore nuk i dhanë leje për të kryer betimin.
Aktualisht Beleri ndodhet në burgun 313 të Tiranës, ndërsa Kokaveshi në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. /Telegrafi/