Telegrafi

Kërkohet zgjidhje emergjente për Nora Gjakoven

Nora Gjakova “shpëtoi” Kosovën në Lojërat Evropiane “Baku 2015”. Ishte edicioni i parë i Lojërave Evropiane, por edhe ngjarja e parë e madhe shumësportëshe në të cilën paraqitej Kosova.

Falë suksesit të Gjakovës, paraqitja e Kosovës u vlerësua e suksesshme. Derisa shumica e sportistëve tjerë kosovarë dëshpëruan me rezultate, Gjakova fitoi medalje në xhudo. Fitoi medalje të bronztë në kategorinë deri 57 kilogram.

Gjakova medaljen në “Baku 2015” e fitoi më 25 qershor të vitit të kaluar. Ajo mori urime të shumta nga drejtues të vendit, ndërsa tani më e ka në dorë edhe normën për Lojërat Olimpike “Rio 2016”, shkruan sot Koha Ditore.

Nora po vazhdon me suksese, duke fituar medalje në gara të mëdha të xhudos. Së fundi shkëlqeu në Tbilisi, të premten, kur fitoi medalje të argjendtë në turne Grand Prix. Por në Federatën e Xhudos të Kosovës janë të brengosur. Jo për formën apo për rrugëtimin e Gjakovës, por për faktin se shteti e harroi shpejt gëzimin që kishte sjellë ajo.

Gjakova u shpërblye për medaljen e fituar në Baku, ashtu si e parasheh rregullorja në fuqi. Por me gjithë pritjet e Federatës së Xhudos të Kosovës, për xhudisten pejane nuk u bë një zgjidhje për afat më të gjatë, për përkrahje të rregullt mujore.

Kosova nuk e ka ende rregulloren për kategorizim të sportistëve, rregullore që është në fuqi në shumicën e vendeve të rajonit. Në FXHK thonë se po të kishte një rregullore të tillë, xhudistja me suksesin në Baku do të kishte statusin e sportistes kulminante dhe me këtë, në bazë të praktikave të vendeve të rajonit, do të përfitonte përkrahje të rregullt financiare për periudhë prej katër vitesh.