Zyrtarë të Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), kërkuan sot nga Qeveria e Kosovës, që sa më parë të zbatojë reformat në politikat fiskale.
“Autoritetet vendore duhet të reformojnë sa më shpejt politikat fiskale, pasi politikat e deritashme po e rëndojnë gjendjen e bizneseve dhe prodhuesve vendorë, dhe kjo më pas do të ketë reflektime negative edhe në gjendjen e përgjithshme ekonomike”, tha kryetari i AKB-së, Agim Shahini.
Nënkryetari i AKB-së, Burim Piraj tha se bizneset po dëmtohen nga udhëzimi administrativ për përcaktimin e kostos së shpenzimeve të transportit, pastaj nga udhëzimi për rivlerësimin e mallrave nga Dogana, e njëkohësisht nga zbatimi i akcizës në qese të importuara që përdoren për paketim të mallrave prej 3 euro për një kilograme.
Muhamet Hasani, pronar i kompanisë “Megatrans” tha se gjatë rivlerësimit të mallrave, në bazë të faturës së prezantuar, Dogana e rritë vlerën e mallrave nga 50 deri në 80 për qind, dhe kjo sipas tij është e papranueshme.
Ndryshe, zyrtarët e AKB-së kërkuan nga institucionet e Kosovës që sa më parë të shfuqizojnë këto vendime, sepse si pasojë e tyre bizneset dhe prodhuesit po dëmtohen, e nga ana tjetër po favorizohen bizneset që importojnë mallra në Kosovë. /Telegrafi/