Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, priti në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Didier Chabert.
Ministrja Bajrami e informoi ambasadorin Chabert rreth reformave që Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë me qëllim të përmirësimit të kushteve të të bërit biznes dhe krijimit të lehtësirave për investime.
Ajo tha se deri tani janë shënuar rezultate të ndjeshme të cilat janë duke u evidentuar nga vetë komuniteti i biznesit dhe organizmat kredibil ndërkombëtar.
Ambasadori Chabert u zotua se do të angazhohet në kultivimin dhe forcimin e miqësisë në mes Francës dhe Republikës së Kosovës,dhe tha se Qeveria e Francës është e interesuar që ta rrisë bashkëpunimin ekonomik me Kosovën.
Ministrja Bajrami dhe ambasadori Chabert u pajtuan të punojnë me një agjendë të koordinuar me qëllim të realizimit të aktiviteteve që kanë për synim intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Francës.
Përveç temave tjera, në takim u diskutua edhe ideja e realizimit të Forumit për Investime dhe Tregti në mes të Kosovës dhe Francës përmes të cilit aktivitet Kosova mund të promovojë ofertën e saj para investitorëve francez përmes prezantimit të shumë projekteve me potencial për zhvillim. /Telegrafi/