Deputetja Fitore Pacolli, në cilësinë e Kryetares së Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim bashkë me deputetin Salih Zyba janë takuar me kryetarin e Komunës së Prishtinës Përparim Rama.
Këtë e ka bërë të ditur Pacolli përmes një shkrimi në Facebook.
Ajo tha se ka paraqitur para kryetarit Rama shqetësimet që qytetarët e Komunës së Prishtinës kanë adresuar në Komision.
“Ne e njoftuam se Ndërmarrja Publike Prishtina Parking po shkel të drejtat e qytetarëve në baza ditore përmes veprimeve të jashtëligjshme. Veprimet e “Prishtina Parking” bien në kundërshtim me Ligjin për ndërtesat e banimit në bashkëpronësi”, tha Pacolli.
Deputetja e LVV-së, theksoi se ka kërkuar që urgjentisht të ndërpritet shfrytëzimi i hapësirave rezidenciale për përfitim të shumëfishtë.
Sipas saj, Prishtina Parking përfiton pagesë nga banorët rezidencial dhe në të njëjtën kohë i lëshon ato për shfrytëzim për ata jorezedencial.
“Parking Prishtina në mënyrë të jashtëligjshme përfiton nga të dy palët”, tha ajo.
Po ashtu ka kërkuar të ndërpritet shqiptimi i dënimeve, vendosja e bllokadave, konfiskimi i veturave nga Prishtina Parking dhe pranimi i pagesës së dënimeve me para në dorë pa u definuar saktë kompetencat e Prishtina Parking.
“Prishtina Parking përfiton para nga këto dënime ndërsa transparenca se ku përfundojnë këto para është zero. Ne kërkuam që të pezullohet zgjerimi i Prishtina Parking deri në përmirësimin e mangësive dhe ndryshimin e rregullores”, shtoi deputetja.
Siç ka thënë, Pacolli ka kërkuar nga Rama që të japë qasje në këto dokumente:
Autorizimin për bllokimin dhe e veturave me të cilin vepron “Prishtina Parking”;
Rregulloret e brendshme të ndërmarrjes;
Të gjitha dokumentet nga Drejtoria e Kadastrit që vërtetojnë të gjitha parcelat për shfrytëzimin e hapësirave nga “Prishtina Parking”;
Dokumentet që definojnë karakterin e rrugës “B”, në veçanti shiritat anësor.
“Kryetari pranoi kërkesat tona dhe na premtoi se shqetësimet e qytetarëve do të adresohen”, shkroi në fund Pacolli. /Telegrafi/