Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka pritur sot në takim rektorët e universiteteve dhe të kolegjeve të Kosovës, me të cilët ka diskutuar për nevojën e modernizimit të kurrikulave në përgatitjen e juristëve për nevojat e tregut të punës.
Ai me këtë rast ka kërkuar përmirësimin e cilësisë së mësimit praktik dhe mësimdhënies e mësim-nxënies aplikative në fushën juridike përmes qasjes teorike dhe praktike të mësimit, si dhe vlerësimin e nevojave të tregut të punës, në rishikimin e programeve studimore, me theks në shkathtësi dhe kompetenca, me qëllim të modernizimit të kurrikulave për përgatitje të juristëve.
“Adresimi i këtyre sfidave, tejkalon përgjegjësitë e një institucioni të vetëm andaj është e rëndësishme të vazhdohet dhe zgjerohet puna dhe bashkëpunimi ndër-institucional për promovimin e politikave që orientojnë dhe stimulojnë studentët e fushës së drejtësisë të përvetësojnë shkathtësitë e nevojshme të tregut të punës” ka thënë ministri Tahiri.
Ai ka kërkuar që propozimet e programeve të reja mësimore, para se të dërgohen në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, të përfshijnë edhe konsultimin me institucionet e sektorit të sundimit të ligjit dhe punëdhënës tjerë potencialë, në mënyrë që të bëhet harmonizimi me nevojat e tregut të punës.
Në këtë kontekst, ministri Tahiri ka theksuar rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit për ofrimin e praktikës profesionale për studentë në të gjitha institucionet dhe punëdhënësit tjerë potencial, por ka kërkuar edhe ndërtimin e qendrave apo klinikave juridike, që do të mundësojnë dije praktike edhe brenda vetë institucioneve arsimore. /Telegrafi/