Site icon Telegrafi

Kërkohet shtyrja e afati për aplikimin e viktimave të dhunës seksuale

Në shkurt të vitit të ardhshëm do të përfundojë afati pesë-vjeçar për aplikimin e grave dhe burrave për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale. Nga Qeveria po kërkohet që sa më parë të bëhet plotësim-ndryshimi i ligjit, që ofron mundësinë e vazhdimit të këtij afati. Nëse një gjë e tillë nuk ndodhë, po konsiderohet fatkeqësi, meqë numër i madh i viktimave ende nuk kanë deponuar historitë e tyre pranë këtij komisioni. Po ashtu, me mos-zgjatjen e afatit për aplikim thuhet se do të krijohet edhe vakum ligjor.

Kryetarja e Komisionit Qeveritar për Njohjen e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale, Leonora Selmani kërkon që sa më parë të procedohet me ndryshimin e ligjit, që u mundëson grave e burrave të aplikojnë edhe pas kësaj date.

“Afati për aplikimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës është i lidhur me plotësim-ndryshimin e ligjit, që i bie që është proces ligjor dhe duhet të ndryshojë ligji në Kuvendin e Kosovës që të bëhet një gjë e tillë. Po besoj që është afati i fundit kur do të duhej me menduar se a duhet me proceduar me plotësimin ndryshimin e ligjit apo jo. Në qoftë i shohim shifrat, e shohim që në krahasim me atë që është menduar që ka në Kosovë dhe që thuhet që ka dhe statistikat e kanë thënë dhe që është një numër shumë i madh prej 20 mijë viktimave- personave që kanë përjetuar dhunën seksuale në vend, i kemi vetëm 1846”, shprehet Selmani.

Në Kosovë konsiderohet se janë dhunuar seksualisht rreth 20 mijë gra e burra nga forca policore serbe. Selmani shton se ky krim do të duhej të trajtohej edhe më tej nga komisioni.

“Ndoshta është mirë të vazhdohet afati, për faktin se ka ende persona që duan tu njihet kjo e drejtë. Mos harrojmë është një krim i luftës, i cili do të duhej me u trajtua ende po besoj… Po besoj që me kohë do të merret përgjigja dhe viktimat do ta kenë përgjigjen në afatin e duhur dhe nuk do të mbesin pa e pasur një informatë se çfarë do të bëhet. Çfarë mund të garantojë në këtë moment është që të gjitha aplikimet që janë në komision do të shqyrtohen dhe pavarësisht këtij limiti kohor, komisioni prapë do i shqyrtoj njëjtë sepse ka afat”, shton ajo.

Në lidhje me këtë, KosovaPress ka pyetur edhe zëdhënësen e qeverisë, Rozafa Kelmendi, por ajo nuk ka kthyer përgjigje.

Në anën tjetër, drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti po bën thirrje që afati për aplikim në këtë komision të shtyhet.

“Ne si organizata e kemi kërkuar pa një afat të caktuar, i dimë edhe vështirësitë në proces që mund t’i ketë jo-afatizimi. Megjithatë, krimet e luftës nuk parashkruhen edhe e drejta në krime të luftës nuk ish dashur të afatizohet në një periudhë kohore. Nëse nuk arrijnë që të amandamentohet ligji dhe të parashihet zgjatja e mandatit të komisionit, fatkeqësisht nga shkurti të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës nuk do të kenë mundësi ligjore që të aplikojnë në komision, që t’u njihet e drejta si viktimë e dhunës seksuale të luftës”, shprehet ajo.

Shtyrja e afatit për aplikim, Rushiti shton se duhet të bëhet në procedurë të përshpejtuar meqë ka mbetur kohë e shkurtër.

“Mendoj që është një fatkeqësi nëse kjo nuk arrin të bëhet, për faktin se mënyra se si është trajtuar kjo plagë e luftës në Kosovë, pastaj puna e komisionit, e organizatave, gjithë kauza e të mbijetuarve të dhunës seksuale, ka qenë një praktikë e mirë jo vetëm për Kosovën, por është marrë edhe nga vende të ndryshme të botës ku ka pasur konflikte. Dhe kjo praktikë është bërë si model i mundshëm edhe në Ukrainë dhe fakti që nuk mund të shtyhet, ose nuk arrin të shtyhet e ndalon procesin aty dhe krijon një vakuum ligjor”, përfundon Rushiti.

Gratë e burrat në Kosovë nga Kosova kanë pasur mundësi që të aplikojnë për statusin e viktimave të dhunës seksuale nga viti 2018. Por, në shkurt të vitit të ardhshëm përfundon afati për aplikim në këtë institucion. Ndërkaq në prill të këtij viti, qeveria ka zgjatur për tre vjet mandatin e komisionit./KP/

Exit mobile version