Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë në Sektorin Privat të Kosovës, ka shprehur shqetësimin mbi mos trajtimin e duhur të punëtorëve teknikë dhe atyre të sigurimit fizik, të cilët punojnë në objektet e EULEX-it.
Në një njoftim për media thuhet se në takimet e mbajtura dhe të kontaktuar ditëve të fundit nga punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik, kanë vërejtur se në këto qendra gjendja e punëtorëve është jo e mirë.
“Paga e tyre është mesatarisht 220 euro duke mos ia dalë në fund të muajit me këtë shumë të mjeteve. Vetëm udhëtimi i tyre dhe ushqimi individual është vështirë të mbulohet. Aty vërejtëm se ka punëtorë që punon më shumë se 10 vjet dhe kontratat e tyre janë 3-mujore dhe 1-vjeçare”, thekson Federata.
Federata Sindikale e Punëtorëve Teknik në Sektorin Privat të Kosovës fton EULEX-in dhe pronarët e kompanive të punëtorëve teknikë dhe atyre të sigurimit fizik që t’ua rrisin pagat, në të kundërtën do të kërkojnë shkëputjen e kontratave të punës, pasi ka punëtorë që në kontratë i shkruan paga prej 130 euro.
“Ne iu kemi drejtuar EULEX-it me një e-mail, andaj ne do të presim edhe javën tjetër përgjigjen e tyre, dhe nëse nuk do të marrim përgjigje, punëtorët nën organizimin sindikal do të bëjnë hapat e mëtejshëm”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/