Qendra për Numërim dhe Rezultate (QNR) ka rekomanduar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të rinumërojë edhe 500 vendvotime.
Kështu ka bërë të dituar për Telegrafin, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Mund t’iu konfirmoj se në mbledhjen e sotme të KQZ-së do të paraqitet një raport nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve me disa rekomandime për rinumërim të rreth 500 vendvotimeve dhe natyrisht se anëtarët e KQZ-së do ta shqyrtojnë dhe do të marrin vendim meritor. QNR-ja ka ardhur deri te këto rekomandime pasi këto vendvotime nuk kanë mundur të kalojnë procesin e auditimit”, ka thënë ai.
Elezi bëri të ditur edhe disa nga arsyet se pse po kërkohet rinumërimi i këtyre vendvotimeve.
“Arsyet janë të ndryshme dhe kryesisht kanë të bëjnë me bartjen e gabuar të votave në formularin e subjekteve politike dhe formularin e kandidatëve; si dhe për shkak se në një numër të madh të vendvotimeve kandidati apo kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik”, potencoi ai.
KQZ javën e kaluar ka marrë vendim për rinumërimin e 12 vendvotimeve.
Gjakovë (1); Fushë Kosovë (1); Rahovec (1); Podujevë (3); Prizren (2); Skenderaj (1); Suharekë (1); Ferizaj (1); dhe Vushtrri (1).
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mbajtur më 14 shkurt. /Telegrafi/