Shoqëria civile e ka ftuar Ministrinë e Drejtësisë që ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për hedhjen poshtë të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK). Në IKD vazhdojnë të mendojnë se KPK ja ka nevojë për reformim veçse, sipas tyre, qeveria duhet ta dijë të gjejë mënyrën kushtetuese.
Për gati 10 muaj brenda Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është shqyrtuar Ligji i Këshillit Prokurorial të Kosovës, derisa një ditë më parë kushtetuesja e shpalli kundërkushtetues këtë ligj.
Gjykata ka gjetur një sërë shkeljesh në një sërë nenesh, të cilat i specifikon dhe bën me dije se si i tillë, ligji është i pavlefshëm në tërësi.
“Shpallë të pavlefshëm, në tërësinë e tij, Ligjin nr.08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Aktgjykimi sqaron që në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, sistemi prokurorial është plotësisht i pavarur”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se vendimi i Gjykatës duhet të respektohet pashmangshëm, veçse sipas tij, reforma në Këshillin Prokurorial është e domosdoshme.
“Kemi të bëjmë më një dështim të qeverisë për të përpiluar një ligj që i plotëson kërkesat kushtetuese, dhe përmes këtij ligji ta bëjë reformën e Këshillit Prokurorioal të Kosovës. I takon Ministrisë së Drejtësisë dhe Kuvendit që ta bindë Gjykatën Kushtetuese se në rastin konkret ka rrethana të veçanta që e arsyetojnë reformën në KPK. Mos të harrojmë se krahas vettingut reforma në KPK është më e madhja në sistemin e drejtësisë”, ka thënë për RTV Dukagjinin, Gzim Shala, IKD.
Nga ana tjetër avokati Anton Nrecaj thotë se konstatimi që Ligji i KPK-së ka shkelur kushtetutën, nuk duhet të sjellë asgjë tjetër përveç respektim të plotë të vendimit të Kushtetueses.
“Konsiderohet që nga qeveria ka tendencë për të ndërhyrë, në sistemin e drejtësisë, në njëfarë forme e cenon rendin juridik dhe kushtetues, Nga ana tjetër sot e pamë edhe një deklaratë të ministres Haxhiu që një vendim I tillë është I papranueshëm dhe nuk do ta respektojmë, këto tendenca të politikave ditore dhe ministrja duhet ta ketë të qartë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë alfa dhe omega e funksionimit të rendit juridik dhe kushtetues në vend”, ka sqaruar Nrecaj.
Përndryshe në Gjykatën Kushtetuese vazhdon të qëndrojë e trajtohet Ligji për Byronë Shtetërore të konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme, i kontestuar gjithashtu nga Partia Demokratike të Kosovës. /Dukagjini/