Ligji i Punës i Republikës së Kosovës nuk e përcakton që puna praktike duhet të paguhet. E kjo ka bërë që një grup i të rinjve të themelojnë një iniciativë për të treguar përvojat e tyre të punës praktike dhe për të kërkuar që po e njëjta punë të paguhet.
Të gjithë ata të cilët kanë bërë ose janë duke bërë punë praktike mund të ndajnë përvojën e tyre me iniciativën “Pay My Intership”.
Themeluesja e kësaj iniciative, Linda Gjokaj, në një intervistë për KosovaPress ka bërë të ditur se e gjithë iniciativa ka nisur prej studentëve të cilët kanë kryer praktika në institucionet private dhe publike, por që nuk janë paguar.
“Iniciativa jonë është ‘Pay My Intership’, ose në gjuhën shqipe ‘Më paguaj praktikën’. E cila ka nisë prej disa studentëve, faktikisht prej disa të rinjve, të cilët kanë përfunduar studimet, përfshirë edhe unë dhe gjatë studimeve dhe pas studimeve kemi kryer disa praktika, por të cilat fatkeqësisht nuk janë paguar. Prandaj, e gjithë ideja ka nis prej kësaj, prej pakënaqësisë së këtyre të rinjve për mos pagesë të praktikës dhe lirisht mund të them keqtrajtimit që iu bëhet në vendin e praktikës”, tha Gjokaj.
Sipas saj, qëllimi i kësaj iniciative është që të ngritë vetëdijen tek të rinjtë dhe tek institucionet që puna praktike duhet të paguhet.
“Qëllimi i iniciativës ‘Pay My Intership’ që së shpejti do të jetë edhe organizatë joqeveritare është që fillimisht të ngrit vetëdijen tek të rinjtë që puna që ata e bëjnë, puna do të thotë tetë orësh nganjëherë edhe më shumë duhet të paguhet. Nëse jo të paguhet, nëse jo të merret një rrogë shumë modeste të jetë një kompensim. Kompanitë apo punëdhënësit të vendosin çfarë kompensimi do të jetë ai për punën që ata kryejnë. Pra, qëllimi i parë është vetëdijesimi i këtyre të rinjve që puna praktike duhet të paguhet”, tha ajo.
Kjo iniciativë ka gjetur përkrahje nga të rinjtë kosovarë sipas themelueses së kësaj iniciative, ku ata kanë ndarë përvojat e tyre të praktikës fillimisht në faqen e Facebook-ut të “Pay My Intership”. /Telegrafi/