Telegrafi

Kërkohet qasje në shërbime shëndetësore për të gjithë

Në ditën Botërore të Shëndetit, Ministria e Shëndetësisë e mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, kanë mbajtur diskutim me temën “Mbulimi universal shëndetësor”.

Naser Ramadani nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se mbulimi shëndetësor universal është qasja në shërbimet shëndetësore pa u përballur me vështirësi.

“Është koha për shëndet për të gjithë. Mbulimi shëndetësor universal është qasja në shërbimet shëndetësore, pa u përballur me vështirësi. Kemi kërkesa gjithnjë e më tepër për punonjës shëndetësor. Shkalla e prekshmërisë me tuberkuloz ka rënë. Edhe suksesi i vaksinimit është i arritshëm, në të gjitha nivelet e Kosovës”, ka thënë ai.

Naim Bardiqi, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, në këtë konferencë tha se e drejta për mbrojtje shëndetësore është e theksuar edhe në Kushtetutën e Kosovës.

“Ministria e Shëndetësisë ka filluar reformën për mbrojtjen e shëndetësisë. Që nga ky vit janë krijuar mekanizma, financimet e shëndetësisë dhe ofruesi i shërbimeve shëndetësore. Synimi është shumë i qartë, do të ndryshohet mënyra dhe burimet e shërbimeve shëndetësore”, deklaroi Bardiqi.

Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë është duke punuar në këtë aspekt, që të bëjë më të përballueshme për qytetarët ofrimin e mbrojtjes shëndetësore.

E Ardita Tahirukaj, shefe e zyrës së OBSh-së në Prishtinë, deklaroi se shteti duhet të ofrojë politika që për të varfrit të ketë kujdes parësor shëndetësor.

“Të gjithë njerëzit duhet të kenë qasje dhe pa u ballafaquar me probleme financiare. I ftojmë liderët kosovarë për të punuar në këtë aspekt. Shteti duhet të ofrojë politika që për të varfrit të ketë kujdes parësor shëndetësor. Në Kosovë, OBSH është edhe duke punuar edhe me institucionet për këto shërbime. Shëndeti është diçka parësore”, ka theksuar Tahirukaj./kp/