Video inçizimi tregon se si u ”mirëprit” hapja e qendrës së parë për mbrojtje të komunitetit LGBTI në vitin 2012 në çarshinë e vjetër.
Ajo sulmohej edhe kur ishte e mbyllur edhe kur ishte e hapur. Nuk kurseheshin as punëtorët e kësaj qendre, por as edhe policët.
Që atëherë ende nuk është zbardhur asnjë nga sulmet, ndërsa këtë me këmbëngulje kanë kërkuar disa herë organizatat joqeveritare që merren me mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBTI. Biljana Ginova koordinatore e Qendrës për mbrojtje e komitetit LGBT, thotë se moszbardhja e rasteve të deritanishme, ka bërë që sulmet tjera të mos denoncohen.
“Në atë hulumtim, u tregua se vetëm 9% e personave ndaj të cilëve është ushtruar dhunë në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor, këtë dhunë e kanë lajmëruar në institucione. Kur i pyetëm përse, përgjigja më e shpeshtë ishte se nuk besojnë se diçka do të ndodhë, nuk besojnë se ajo do të zgjidhet, ndërsa të tjerë kanë thënë se frikohen që identiteti i tyre do të zbulohet në opinionin publik”, u shpreh Biljana Ginova, Koordinatore e Qendrës për Mbrojtje e Komitetit LGBT.
Kryetarja e Komitetit të Helsinkut, Uranija Pirovska theksoi se nuk mjafton vetëm zbardhja e rasteve, por edhe parandalimi i gjuhës së urrejtjes kundër orientimit seksual dhe gjuhës së urrejtjes.
“Gjuha e urrejtjes prodhon vepra të urrejtjes. Vite më pas edhe përkundër asaj që gjatë gjithë kohës dërgonim ankesa në ministrinë për punë të brendshme, në qendrën për kriminal kompjuterik, për raste të regjistruara të gjuhës së urrejtjes, asnjë nga këto raste nuk është zgjidhur”, tha Uranija Pirovska, nga Komiteti i Helsinkut.
Nga Ministria e punëve të brendshme, njoftuan se në vitin 2017 nuk ka pasur raste të paraqitura për sulme në bazë të orientimit seksual, apo identitetit gjinor, ndërsa nga viti 2013 deri më sot janë regjistruar 6 vepra penale.
“Qëllimi kryesor i këtyre ndryshimeve të kodit penal duhet të fokusohet në ngritjen e dukshmërisë së veprave të urrejtjes me përshkrimin e definicionit ligjor për këtë term dhe parashikimin e këtyre formave të veçanta të veprës së urrejtjes në një pjesë të veçantë, që në pajtueshmëri me dispozitat do t′i detyrojë organet e përndjekjes t′i zbulojnë, konfirmojnë dhe procedojnë veprat e tilla”, theksoi Oliver Spasovski, Ministër i Punëve të Brendshme.
Zëvendësshefi i misionit të Britanisë së Madhe në Maqedoni, Paul Edwards theksoi se ambasada e Britanisë gjithmonë ka dënuar sulmet ndaj komunitetit të LGBTI-së.
“Zbardhja e këtyre rasteve mund të jetë një qëndrim i qartë se qeveria, gjykata dhe policia marrin këto gjëra me seriozitet. Ata punojnë për këto qytetarë nuk punojnë vetëm për një pjesë të shoqërisë dhe komuniteti LGBTI janë qytetarë sikur edhe të gjithë të tjetër, paguajnë taksat, jetojnë jetët e tyre, janë pjesë e shoqërisë, pse të trajtohen më ndryshe nga të tjerët”, tha Paul Edwards, Zv. Ambasador i Britanisë së Madhe.
Për zbardhjen e këtyre rasteve ishe zotuar edhe kryeministri i vendit, para disa javëve, kur morri pjesë në përvjetorin e hapjes së qendrës për përkrahje të komunitetit të LGBTI-së.
“Ky incident, sikur edhe disa incidente tjera të ngjashme, në vitet e kaluara nuk kanë qenë të zbardhura nga ana e institucioneve dhe këto nuk janë të vetmet që kanë ndodhur në vend. Si qeveri do të bëjmë gjithçka që të nxjerrim para drejtësisë”, tha Zoran Zaev, Kryeministër i RM.
Që nga viti 2013, për vite të tëra, qytetarët protestonin çdo të enjte para prokurorisë publike për të kërkuar zbardhjen e këtyre rasteve, ndërsa nga atje kanë marrë gjithmonë të njëjtën përgjigje, Hetimet vazhdojnë. Në lidhje me sulmet ndaj komunitetit LGBTI i kanë dënuar edhe komuniteti ndërkombëtar, ndërsa ato i kanë përmendur edhe në raportet e tyre për Maqedoninë./TV21/Telegrafi/