Ferid Agani që nga e hëna nuk është më ministër i Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor.
Pak ditë pasi që kishte kërkuar nga kryeministri që të lirohet nga detyra, Mustafa e ka miratuar atë të hënën, pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij nga Prokuroria e Shtetit, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton KTV.
Në aferën e njohur si “Rasti Stenta”, përveç akuzave që rëndojnë mbi Aganin në kohën sa ishte ministër i Shëndetësisë, përfshihen edhe rreth 60 mjekë të tjerë.
Ndonëse në këtë aferë është përfshirë edhe sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani, vendime të ngjashme nuk ka për të as nga vet Shabani e as nga ky dikaster qeveritar.
KTV-ja gjatë ditës ka provuar të kontaktojë me ministrin Rrahmani, por ai nuk u është përgjigjur thirrjeve.
Ndryshe, pritet të veprojë Shërbimi Spitalor Klinik Universitar.
Ky institucion ka kërkuar në Prokurorinë e Shtetit listën e emrave të të akuzuarve.
“Zyra e drejtorit të përgjithshëm i është drejtuar zyrtarisht Gjykatës Themelore, si dhe është njoftuar edhe Prokuroria Speciale e Shtetit, ku kërkojmë të njoftohemi në lidhje me rastin ‘STENTA’, meqë nga mediat janë të publikuar vetëm me iniciale emrat e shumë prej stafit aktual të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës dhe në disa raste është vështirë të deshifrohen emrat e tyre. Andaj jemi në pritje të një përgjigjeje në lidhje me kërkesën tonë, në mënyrë që t’i harmonizojmë veprimet tona konform ligjeve të aplikueshme”, thuhet në përgjigjen e QKUK.
Por, në prokurori kanë deklaruar se gjatë ditës së hënë, ata nuk kanë pranuar ende një kërkesë të tillë.
Përfaqësues të shoqërisë civile dhe shoqata për të drejtat e pacientëve kanë kërkuar që mjekët e akuzuar të ndërpresin punën deri në një vendim të gjykatës.
Meqë në këtë aferë janë përfshirë rreth 44 mjekë dhe një infermiere që punojnë në klinikën e Kardiologjisë, largimi i përkohshëm nga puna do të çonte klinikën në kolaps. Për këtë, sipas Besim Kodrës, zgjidhje do të duhej të bënte SHSKUK-ja.
Prokuroria e Shtetit ka ngritur aktakuzë ndaj 64 personave, prej tyre 60 persona fizikë dhe 4 juridikë.
VENERA_STENTAT_AGANI_2006 from Koha.net on Vimeo.