Ruecker theksoi se, do të ketë angazhime të shtuara për nënshkrim sa më të shpejtë të atyre ligjeve që nuk kanë pengesa të shpallen, dhe shumica prej tyre janë të tilla, si dhe premtoi se do ta njoftojë Kuvendin për ndonjë ligj, për të cilin janë shprehur rezerva, fjala vjen nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, apo ndonjë mekanizëm tjetër ndërkombëtar.
Rucker dhe Berisha janë pajtuar që gjatë ditëve në vazhdim shërbimet ligjore të Kuvendit dhe të UNMIK-ut të zhvillojnë takime intensive për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e ligjeve të miratuara apo në procedurë parlamentare.
Gjatë bisedës është shtruar edhe çështja e letrës së shefit të UNMIK-ut, drejtuar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, lidhur me projektligjet nga Pakoja e Ahtisaarit.
Rucker tha se është mirënjohës që i është dhënë rasti të shpjegohet rreth kësaj letre, e cila pati bujë në media, por në të cilën nuk ka pasur ndonjë vërejtje për Kuvendin.
Letra, theksoi shefi i UNMIK-ut, ishte përkujtesë që të veprohet me maturi sa u përket ligjeve që kanë të bëjnë me periudhën e passtatusit të Kosovës. Në këtë vështrim ai ka pohuar se nuk ka asgjë të keqe që projektligjet të procedohen më tutje, sepse kjo do të jetë në interes të përgatitjeve për atë fazë, por sa i përket miratimit të tyre final, ka tërhequr vëmendjen Ruecker, duhet të respektohet korniza juridike në të cilën veprohet aktualisht.
Kryeparlamentari Berisha, siç njofton Zyra për Marrëdhënie me media dhe publikime e Kuvendit të Kosovës, i tha Rueckerit se, letrat e tilla, për mosmiratimin e projektligjeve, për të cilat ai ka tërhequr vërejtjen, duhet t’i dërgohen sponsoruesit. Në të kundërtën, Kuvendi është i obliguar ta procedojë çdo ligj që vjen nga sponsoruesi dhe nuk e ka të drejtën ta tërheq projektligjin nga procedura, ka theksuar Berisha.
Duke biseduar për përgatitjet për zgjedhjet e nëntorit, bashkëbiseduesit janë pajtuar që të mos ketë vakum institucional deri në përfundim të kësaj Legjislature dhe fillimit të Legjislaturës së re.