Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, caktimin e paraburgimit për të ndaluarin S.T, pasi që dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas Prokurorisë, pas një hetimi dhe bashkëpunimi në mes të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës dhe Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion të Policisë së Kosovës, ditën e mërkurë me datën 13 shkurt është ndaluar S.T, ish-kryeshef i një ndërmarrje publike komunale në Mitrovicë.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar që në periudhën kohore 2015-2018, në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të një ndërmarrje publike komunale në Mitrovicë, i dyshuari S.T, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij dhe nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllimin që të përfitojë dobi pasurore për vete apo personat e tjerë, ashtu që në mënyrë të kundërligjshme ka përfituar në formë të akontacioneve (paradhënieve), për vete shumën prej 35,337.00 euro, ndërkaq për punëtorët e tjerë (dëshmitarët) shumën në vlerë prej 82,663.00 euro. Me këto veprime i dyshuari S.T, dyshohet që i ka shkaktuar dëm kompanisë rajonale komunale një dëm në vlerë të tërësishme prej 118,913.18 €, me çfarë dyshohet që me veprimet e tij ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK”, thuhet në komunikatë.
Seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit pritet të mbahet para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.