Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve të arrestuar lidhur me rastin e vdekjes së 37 vjeçarit në Çagllavicë.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.
“Ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të pandehurve në gjykatën kompetente”, ka thënë Ulaj.
Një 37 vjeçar ka humbur jetën të martën në Çagllavicë, dhe i njëjti dyshohet se i kishte dhënë fund jetës së tij si pasojë e gjendjes së rëndë emocionale.
Lidhur me këtë rast tashmë janë arrestuar dy persona të cilët dyshohet se kanë shtyrë viktimën të bëjë vetëvrasje.
Në raportin policor bëhet e ditur se rasti kishte ndodhur në ora 07:00.
“Njësitet relevante policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes ku është konstatuar vdekja e viktimës mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhej në raport. /Telegrafi/