Telegrafi

Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit që vrau me shufër metalike gruan e tij në Kamenicë

Foto: Ilustrim

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të dyshuarit N. M., i cili dyshohet se me shufër metalike ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij.

Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se më 25 Korrik 2020, në fshatin Berivojcë, Komuna e Kamenicës, i dyshuari N. M., për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme familjare, me dashje e ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S. M., ashtu që pas fjalosjes, i dyshuari me mjet të përshtatshëm – shufër metalike, e godet të ndjerën një herë në kokë, e cila rrëzohet në dysheme, mirëpo i njëjti prapë ka vazhduar ta godet me shufër disa herë në kokë dhe pjesë tjera të trupit, me ç’rast të ndjerës i ka shkaktuar plagë të cilat kanë qenë vdekjeprurëse.

Me këto veprime, dyshohet se i dyshuari N. M., ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 173, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Lexo po ashtu Vrasje e rëndë në Kamenicë, dyshohet se burri mbyti me shufër metalike gruan e tij

I dyshuari gjendet në ndalim 48 orësh, ndërsa sot pritet që të mbahet seanca për caktimin e masës së paraburgimit, para gjyqtarit të procedurës paraprake. /Telegrafi/